Termocentral në Britani jashtë funksionit për katër ditë pas sulmit kibernetik
Një termocentral në Mbretërinë e Bashkuar u detyrua të qëndrojë jashtë funksionit për katër ditë pas një sulmi kibernetik, dhe dyshohet se sulmin e kryen hakerë të lidhur me regjimin iranian.
Autoritetet britanike nuk e kanë bërë publik emrin e termocentralit për arsye sigurie, por kanë konfirmuar se ekipet teknike punuan për rikthimin e tij në rrjet.
Sipas The Telegraph, incidenti konsiderohet si një nga ndërhyrjet më serioze kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike britanike dhe rasti i parë kur një grup i lidhur me Iranin arrin të çaktivizojë plotësisht një objekt të tillë në vend.
Stacioni i prekur ishte relativisht i vogël dhe ndërprerja nuk ndikoi në furnizimin e përgjithshëm me energji elektrike në Britani, thanë burimet që raportuan incidentin.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën periudhë me raportime për një seri sulmesh ndaj sistemeve të ujit në Shtetet e Bashkuara; hetimet dhe vlerësimet për sigurinë e infrastrukturave vazhdojnë.