Rizvanolli pranon riparimin e vagonëve në Serbi: ndodhi edhe më 2017
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka pranuar se pesë vagonë të ndërmarrjes publike Trainkos janë dërguar në Zrenjanin të Serbisë për riparim, duke thënë se një praktikë e tillë ishte përdorur edhe në vitin 2017.
Reagimi i saj erdhi pas publikimit të një dokumenti nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili tha se dokumenti dëshmonte se vagonët ishin dërguar për riparim në Serbi gjatë vitit 2024.
Rizvanolli ka deklaruar se vagonët ishin dërguar për herë të parë në Zrenjanin në vitin 2017, menjëherë pasi ishin blerë. Sipas saj, procedura ishte nisur gjatë Qeverisë Mustafa dhe përurimi i vagonëve të riparuar ishte bërë gjatë Qeverisë Haradinaj, nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Lidhur me riparimin e fundit, ministrja ka thënë se kontrata ishte fituar përmes një tenderi publik nga një kompani vendore. Ajo ka shpërndarë edhe qëndrimin e Trainkos, sipas të cilit vagonët nuk kanë mundur të riparohen diku tjetër. Ndërmarrja pritet të bëjë një vlerësim të pavarur për mundësinë e riparimit në shtete të tjera.