Raporti i ZKA-së ngre shqetësime për sigurinë në shkolla

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar një raport për sigurinë e nxënësve në shkollat publike në Kosovë, ku evidentohen të dhëna shqetësuese. Sipas gjetjeve të raportit, institucionet kryesisht reagojnë pasi ndodhin incidentet, ndërsa mungojnë planet e veprimit.

Auditimi i performancës kishte për qëllim të vlerësonte nëse institucionet përgjegjëse kanë vendosur dhe zbatojnë mekanizma efektivë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

Po ashtu, ZKA-ja ka vlerësuar nëse këta mekanizma kontribuojnë në krijimin e një ambienti të sigurt për nxënësit. Auditimi ka përfshirë periudhën 2022-2025 dhe drejtoritë komunale të arsimit në Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë.