Walker: Nuk mora përgjigje pas propozimit për Faton Bislimin
Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, tha se nuk kishte marrë përgjigje nga liderët e partive në Kosovë pasi u kishte propozuar emrin e Faton Bislimit për president.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker u bëri thirrje partive politike që të bashkohen dhe ta zgjedhin presidentin, duke kërkuar që dallimet partiake të lihen mënjanë.
Walker paralajmëroi se përçarjet politike mund të thellohen edhe më shumë nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, Kosovës i duhet stabilitet politik dhe një president që mund ta bashkojë vendin.
Ai tha gjithashtu se zgjedhjet e reja eventuale, në rast të moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që Kosova ka bërë ndër vite.