Gjilani shkruan histori, Superliga sjell dy duele të nxehta sot
Java e tretë e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot me dy përballje interesante, por vëmendja kryesore është përqendruar në Gjilan, ku futbolli elitar kosovar do të përjetojë një moment të veçantë.
Për herë të parë, një ndeshje kampionati në stadiumin e Gjilanit do të zhvillohet nën dritën e reflektorëve. Përballja mes Gjilanit dhe Dukagjinit pritet të marrë kështu një tjetër dimension, ndërsa takimi nis në orën 19:00.
Para kësaj sfide, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli ’74 do ta presë Malishevën. Ndeshja e parë e ditës është planifikuar të nisë në orën 16:30.
Të dyja skuadrat në Drenas do të kërkojnë rezultat pozitiv dhe pikë të rëndësishme në këtë fazë të hershme të kampionatit. Më pas, të gjithë sytë do të jenë te Gjilani, ku zhvillohet sfida e parë e Superligës nën reflektorët e stadiumit.