Kurti kërkon hapjen e arkivave të Serbisë: Nuk presim deri në 2044
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hapjen sa më të shpejtë të arkivave të Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044 që këto dokumente të bëhen të qasshme.
Kurti ka rikujtuar se Serbia, përmes deklaratës së 2 majit 2023, ishte zotuar se do të bashkëpunonte për hapjen e arkivave. Sipas tij, dokumentet duhet të hapen “një ditë e më parë”, për shkak të rëndësisë që kanë për zbardhjen e rasteve të të zhdukurve.
Ai ka përmendur si një prej dosjeve më të rëndësishme atë të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën ka thënë se ka kryer krime në Kosovë. Kurti ka deklaruar se kjo dosje është klasifikuar në vitin 2014, kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë.