Prishtina do të krijojë ndërmarrje publike për menaxhimin e pastrimit

Prishtina do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për menaxhimin e pastrimit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke e paraqitur këtë si një ndryshim në mënyrën e organizimit të këtij shërbimi në kryeqytet.

Sipas Ramës, sistemi aktual i Kompanisë Rajonale “Pastrimi” nuk po u përgjigjet më nevojave të Prishtinës. Në këtë kompani bëjnë pjesë edhe Obiliqi, Fushë-Kosova, Lipjani, Podujeva dhe Drenasi.

Krijimi i ndërmarrjes së re komunale vjen pas një takimi të zhvilluar gjatë kësaj jave me kryetarët e komunave pjesëmarrëse në kompaninë rajonale, menaxhmentin dhe punëtorët e saj. Pas këtij takimi, është marrë vendimi për krijimin e ndërmarrjes së re publike për pastrim.