Digjet shtëpia e prindërve të gazetarit Vudi Xhymshiti në Gjilan
Shtëpia e prindërve të gazetarit Vudi Xhymshiti në Gjilan është përfshirë nga zjarri. Xhymshiti ka njoftuar për rastin përmes rrjeteve sociale, ndërsa Policia ka konfirmuar se më 26 shtator, rreth orës 15:45, është pranuar informata për një zjarr në një shtëpi në fshatin Livoç i Ulët.
Sipas Policisë, shtëpia ishte e pabanuar. Nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale në bodrum, ku ndodheshin një veturë, mjete pune dhe disa orendi shtëpiake. Nuk dihet koha e saktë kur kishte ndodhur zjarri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit dhe zyrtarët e Krimteknikës Rajonale, si dhe eksperti për zjarre. Deri në këtë fazë nuk është përcaktuar shkaktari i zjarrit, ndërsa rasti po hetohet pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit.