Përparim Rama akuzon Kurtin për bllokim politik të buxheteve komunale
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po i përdor institucionet për të ndëshkuar qytetarët e komunave ku nuk udhëheq Lëvizja Vetëvendosje. Deklarata u bë gjatë protestës së komunave kundër Qeverisë për ndarjet buxhetore.
Rama tha se bëhet fjalë për paratë që qytetarët i paguajnë përmes tatimeve, por që, sipas tij, nuk po investohen në qytetet e tyre. Ai pretendoi se buxheti dhe investimet janë bllokuar për shkak të rezultatit të votimit.
“Komunat që nuk e votuan VV-në, sot po e paguajnë çmimin”, tha Rama gjatë fjalimit. Sipas tij, qytetarët janë ata që përballen me pasojat e kësaj situate, e jo kryetarët e komunave.
Rama iu drejtua drejtpërdrejt Kurtit duke thënë se buxheti i komunës nuk është instrument i disiplinimit politik. “Nuk është diktaturë kjo, është Republikë. Poshtë diktatura!”, deklaroi ai.