Foto: Vdes në Londër Daut Dauti, gazetari dhe historiani i njohur kosovar

Vdes në Londër Daut Dauti, gazetari dhe historiani i njohur kosovar

Gazetari, publicisti, historiani dhe studiuesi Daut Dauti ka vdekur në Londër, duke lënë pas një veprimtari të gjerë në gazetari, historiografi dhe studime që lidhen me Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka shprehur pikëllim për ndarjen nga jeta të Dautit. Ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.

Daut Dauti kishte lindur më 1960 në Kokaj të Gjilanit. Gjatë karrierës së tij u angazhua në gazetari, historiografi dhe studime për Kosovën, ndërsa studimet i kishte nisur në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe i kishte vazhduar pasuniversitarisht në Londër, me fokus në çështjet e Bashkimit Evropian.

Rrugëtimin në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, për të vazhduar më pas në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999, Dauti ishte korrespondent i saj në Londër.