Targat VIP në Kosovë kushtojnë deri në 3 mijë euro
Targat me kombinime të veçanta në Kosovë janë bërë dukshëm më të shtrenjta. Tarifat e reja, të vendosura nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë hyrë në fuqi në muajin prill dhe për disa kërkesa arrijnë deri në 3 mijë euro.
Çmimi më i lartë aplikohet për targat me numra të njëjtë dhe me kod të njëjtë të rajonit. Për kombinime si “03-333”, “02-222”, “04-444”, “05-555” dhe “06-666”, qytetarët duhet të paguajnë 3 mijë euro.
Për targat me numra të njëjtë, por me kode të ndryshme të rajonit, tarifa është 2 mijë euro. Ndërkaq, për numra fiks, si 200, 300, 400 dhe 500, pagesa është 1 mijë euro.
Kërkesat për targa me numra të ndryshëm kushtojnë 500 euro. Këto tarifa prekin veçanërisht qytetarët që kërkojnë kombinime të personalizuara dhe dalluese për automjetet e tyre.