Foto: Seanca konstituive ndërpritet sërish, vazhdon të dielën

Seanca konstituive ndërpritet sërish, vazhdon të dielën

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish, ndërsa vazhdimi është caktuar për të dielën në orën 10:00. Ndërprerja erdhi pas zhvillimeve dhe mospajtimeve gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarëve.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës lëshuan sallën pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, insistoi që të hidhej në votim edhe propozimi i LDK-së për nënkryetar, pa përfunduar më parë procedura për nënkryetarin e propozuar nga PDK-ja.

Deputetët e LDK-së kërkuan që fillimisht të zgjidhej nënkryetari i dytë dhe të respektohej rendi i përcaktuar në procedurë, para se të votohej kandidati i tyre. Pas largimit të tyre, Haxhiu e ndërpreu seancën.

Seanca ishte ndërprerë edhe pas largimit të deputetëve të PDK-së, pasi kandidatura e Vlora Çitakut për nënkryetare nuk mori votat e nevojshme. Haxhiu kishte thënë se, për shkak të mungesës së PDK-së, do të vazhdonte me propozimet në bashkëpunim me LDK-në.