Vëllai i Jakup Krasniqit para verdiktit: Arsye për dënim nuk ka
Pak para seancës ku pritet të shpallet aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë, Avdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, tha se familja po pret prej kohësh vendimin dhe shpreson të dëgjojë një lajm të mirë.
Avdyl Krasniqi deklaroi se besimi në pafajësinë e të akuzuarve vazhdon të jetë i fortë, pavarësisht pritjes së gjatë të vendimit. Ai tha se pret që gjykata të mbështetet në prova dhe fakte gjatë marrjes së aktgjykimit.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe nuk ka arsye që ish-krerët e saj të dënohen. Në këtë proces gjyqësor, ai shprehu kritika edhe për seriozitetin e disa dëshmitarëve.
Ndërkohë, në Negroc, vendlindjen e Jakup Krasniqit, familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëvendas janë mbledhur për të pritur verdiktin. Ata kanë shprehur besimin se Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të shpallen të pafajshëm.