Foto: Maratona “Prishtina 2026” sjell kufizime në rrugët kryesore sot

Maratona “Prishtina 2026” sjell kufizime në rrugët kryesore sot

Qarkullimi në disa nga rrugët kryesore që lidhin Prishtinën me Fushë-Kosovën dhe Pejën do të kufizohet sot, për shkak të mbajtjes së maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bllokimet do të nisin në orën 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në përfundimin e garës.

Ndërprerja e qarkullimit do të bëhet në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”. Kufizime do të ketë edhe në segmente të tjera rrugore, përfshirë një pjesë të autostradës.

Policia ka përcaktuar edhe rrugë alternative për të shmangur ngarkesat dhe pengesat në komunikacion gjatë zhvillimit të maratonës.