Rama ia delegon Elvis Lilës kompetencat e drejtorit të SHISH-it
Pas shkarkimit të Vlora Hysenit, kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e përkohshëm të kompetencave administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit te Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ.
Vendimi është marrë pas shkarkimit të Hysenit, i cili, sipas njoftimit, ndodhi një ditë më parë. Me këtë urdhër, Lila do t’i ushtrojë përkohësisht kompetencat administrative të drejtuesit të SHISH-it.
Delegimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në emërimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit. Urdhri është siguruar nga gazetarja Anila Hoxha dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.