PDK: Kuvendi ka 13 ditë për ndryshimet për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të votojë ndryshimet për Gjykatën Speciale. Në një komunikatë, PDK-ja e ka mirëpritur konstatimin se Kuvendi është konstituar.
Sipas PDK-së, vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve të saj për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.
Partia vlerëson se Kuvendi ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit dhe për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Po ashtu, sipas komunikatës së PDK-së, brenda këtij afati duhet të zgjidhet Presidenti, me synimin që të shmangen zgjedhjet e parakohshme dhe, siç i quan partia, të panevojshme.