Mesazhet e Vlorës Hyseni me Ergys Agasin: “Radarët i fik për ty”
Detaje të reja nga komunikimet mes Vlorës Hyseni dhe Ergys Agasit kanë dalë në dritë, përfshirë një mesazh ku Hyseni i jep garanci Agasit se “krejt radarët e shtetit” do t’i fikte për të. Komunikimet janë pjesë e materialeve që SPAK po verifikon.
Sipas dosjes së SPAK, Hyseni dyshohet se i ka përcjellë Agasit informacione mbi lëvizjet e strukturave të sigurisë. Në një prej qindra mesazheve të shkëmbyera, ajo i kërkon të mos përdorë një numër tjetër telefoni, pasi dyshohej se ishte nën përgjim.
“Shpirt, mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, thuhet në mesazhin e përfshirë në dosje. Në vijim të komunikimit, Agasi e pyet nëse kishte rrezik për persona të afërt me të.
Përgjigjja që, sipas dosjes, i atribuohet Hysenit është: “Krejt radarët e shtetit i fik për ty!”. Të dhënat e përfshira në komunikime lidhen edhe me pretendimin se Agasi i ka shfrytëzuar këto informacione për të qëndruar tetë muaj në arrati, duke iu fshehur policisë.