AUV tërheq menjëherë nga tregu “Flips Ketchup” për alergjenin e padeklaruar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor “Flips Ketchup”, të prodhuesit PESTOVA L.L.C., pas zbulimit të një alergjeni të padeklaruar.
Në produkt janë konstatuar gjurmë të qumështit, ndërsa ky alergjen nuk ishte përfshirë në etiketë. Sipas vlerësimit të riskut, produkti konsiderohet i pasigurt për konsumatorët që janë të ndjeshëm ose alergjikë ndaj qumështit.
Rasti është evidentuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë, RASFF, me numër njoftimi 2026.8267.
Gjatë një kontrolli zyrtar në Slloveni është marrë mostër e produktit, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e gjurmëve të qumështit.
Pas pranimit të njoftimit, AUV ka nisur procedurat e gjurmueshmërisë për prodhimin dhe shpërndarjen e produktit.