Protesta në disa qytete të Evropës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Shqiptarë nga diaspora pritet të mblidhen më 27 shtator në disa qytete të Evropës, në kuadër të protestave në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Tubimet organizohen nën moton “Jo në emrin tim”. Thirrjet për pjesëmarrje u janë drejtuar shqiptarëve në diasporë, me synim kundërshtimin e vendimit të gjykatës dhe shprehjen e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.
Protestat janë paralajmëruar në Londër, Oslo, Graz, Gjenevë, Trevizo, Karlsruhe, Lindau dhe Shkup. Në Londër, tubimi është planifikuar nga ora 15:00 deri në 18:00, në Richmond Terrace.
Në Oslo, protesta pritet të mbahet nga ora 13:00 deri në 14:00, në Eidsvolls Plass. Tubimet në qytetet e tjera evropiane janë pjesë e së njëjtës thirrje të diasporës, e cila lidhet me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.