Në QKUK u operuan 191 raste me kancer të gjirit këtë vit
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës këtë vit janë operuar 191 raste me kancer të gjirit, ndërsa numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve në gji ka arritur në 507.
Drejtori i klinikës, Nazmi Kolgeci, ka thënë se në totalin prej 507 ndërhyrjesh përfshihen edhe rastet me tumore beninje dhe biopsitë.
Sipas Kolgecit, numri i rasteve me kancer të gjirit është përafërsisht i njëjtë me atë të vitit të kaluar, me një lëvizje prej rreth dhjetë rastesh më shumë ose më pak.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se, duke marrë parasysh rënien e popullsisë, sëmundja ka tendencë të jetë në rritje.