Haradinaj e quan hakmarrje politike shkarkimin e Isufajt
Ramush Haradinaj e ka cilësuar si “hakmarrje politike” shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Deputeti i Aleancës e kritikoi vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke thënë se shkarkimit “po i vjen erë e keqe”.
Në një reagim në Facebook, Haradinaj tha se kjo erë kishte “kundërmuar keq” që nga dita kur kryeministri Albin Kurti, sipas tij, e sulmonte Isufajn nga foltorja e Kuvendit dhe mbronte të akuzuarit për korrupsion.
Haradinaj deklaroi se askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë dhe se ata që, sipas tij, mbrohen përmes shkarkimeve do të përballen me forcën e ligjit.
Ai e përshkroi rastin si “hakmarrje të pastër politike” ndaj kujtdo që guxon të mbrojë pavarësinë e institucioneve, duke thënë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të diktohet nga zyrat e politikës.