Hoti pas shkarkimit të Isufajt: Drejtësi që i përshtatet pushtetit?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke thënë se Qeveria Kurti nuk po kërkon drejtësi të pavarur, por drejtësi që i përshtatet pushtetit.
Vendimi u mor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 2 tetor. Në arsyetimin e tij, KPK-ja përmendi, ndër të tjera, keqmenaxhimin, mospërmbushjen e detyrave dhe mosplotësimin e standardeve të performancës.
Hoti e lidhi shkarkimin me pretendimin e tij për ndikim politik, duke e cilësuar vendimin si dëshmi se drejtësia po trajtohet në përputhje me interesat e pushtetit. Reagimi i tij erdhi menjëherë pas vendimit të Këshillit Prokurorial për largimin e Isufajt.