Foto: Kosova për fitore ndaj Austrisë, në lojë ëndrra për Ligën A

Kosova për fitore ndaj Austrisë, në lojë ëndrra për Ligën A

Kosova sot luan ndeshjen më të rëndësishme të kësaj kampanje në Ligën e Kombeve, me synimin për ta mbajtur gjallë ëndrrën për Ligën A. Përballë “Dardanëve” është Austria, ndërsa fitorja shihet si e domosdoshme për vazhdimin e këtij objektivi.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis në orën 18:00. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda kërkon të reagojë pas humbjes 3:1 ndaj Austrisë në Vjenë, në përballjen e kaluar.

Pas tri ndeshjeve të para, Kosova ka grumbulluar katër pikë dhe renditet në vendin e dytë në grupin G. Austria kryeson grupin me shtatë pikë, duke e bërë përballjen e sotme veçanërisht të rëndësishme për vazhdimin e garës.

Kosova vjen në këtë takim edhe pas barazimit 0:0 me Izraelin, të zhvilluar të enjten. Një fitore ndaj Austrisë do t’i jepte ekipit kosovar mundësinë ta mbajë të hapur rrugën drejt Ligës A.