PDK kërkon votimin e Ligjit për Specialen sot, por seanca përplaset
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të shqyrtohet sot në lexim të dytë, duke propozuar shmangien nga afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
Deputeti Arian Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, propozoi që amendamentet t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30. Sipas propozimit, komisioni do ta shqyrtonte projektligjin deri në orën 15:30, ndërsa raporti me rekomandimet për shqyrtimin e dytë do t’i dorëzohej Kuvendit deri në orën 17:00.
Tahiri kërkoi që shqyrtimi i dytë në seancën plenare të mbahej sot në orën 17:30 dhe kërkoi mbështetjen e Kuvendit për mocionin procedural. Propozimi synon që ndryshimet për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të kalojnë në votim brenda së njëjtës ditë.
Pas përplasjeve mes Tahirit dhe kryesueses së Kuvendit, Albulena Haxhiu, deputetët e PDK-së e lëshuan seancën plenare. Sipas njoftimit për këtë zhvillim, në sallë qëndroi vetëm deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.