Bllokohen disa rrugë në Tiranë para ndeshjes Shqipëri-San Marino
Disa rrugë në Tiranë do të kenë kufizime të qarkullimit para ndeshjes Shqipëri-San Marino, e cila zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Masat nisin nga ora 17:00 dhe do të jenë në fuqi deri në përfundim të ndeshjes.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përballjes, për shkak të fluksit të tifozëve që pritet të mblidhen pranë stadiumit.
Kufizimet do të zbatohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë urës së ish-Hotel Dajtit, si dhe në rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji” dhe “Ismail Qemali”.
Qarkullimi do të kufizohet gjithashtu në rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Abdyl Frashëri”. Në rrugën “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, do të lejohen vetëm mjetet e autorizuara nga FSHF-ja.