Përparim Rama: Kosova rrezikon t’i humbasë Lojërat Mesdhetare 2030
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka alarmuar se Kosova është në prag të humbjes së të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ai e ka lidhur këtë rrezik me mungesën e përgjigjeve institucionale dhe ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është përgjigjur.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) e ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve nga institucionet. Sipas tij, situata do të shqyrtohet më 19 dhjetor.
Rama bëri të ditur se pas këtij shqyrtimi do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kryetari i Prishtinës tha se kryeqyteti i ka fituar të drejtën për organizimin e këtij eventi dhe se janë përgatitur masterplani, projektet dhe lokacionet përkatëse, të cilat janë votuar në Asamblenë e Kryeqytetit. Sipas deklaratës së tij, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm i takon Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, të cilin e udhëheq Kurti.