Foto: Ekstradohet në Vërmicë i dënuar për vrasje, 11 vjet e 6 muaj burgim

Ekstradohet në Vërmicë i dënuar për vrasje, 11 vjet e 6 muaj burgim

Policia e Kosovës realizoi sot ekstradimin nga Shqipëria në Kosovë të një shtetasi kosovar të dënuar për veprën penale “vrasje”. Ai është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim.

Ekstradimi u krye në pikën kufitare të Vërmicës nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

Personi ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë për procedim të mëtejshëm ligjor dhe dërgim në qendrën korrektuese.

Policia e Kosovës dhe Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) thanë se ekstradimi u mundësua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe se do të vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.