Foto: Prizren: Seanca ndaj Anton Kelmendit u shty për shkak të gjendjes shëndetësore

Prizren: Seanca ndaj Anton Kelmendit u shty për shkak të gjendjes shëndetësore

Sipas njoftimit paraprak, më 11.08.2026 në Gjykatën e Prizrenit seanca ndaj të akuzuarit Anton Kelmendi nuk u mbajt dhe u shty për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, konstatoi se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës.

Kelmendi akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 16.12.2025 në fshatin Nashec të komunës së Prizrenit, në livadhin e qytetarit V.B.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Agim Gutaj, i cili po kulloste bagëtinë pranë shtëpisë së të pandehurit. Fillimisht, sipas aktakuzës, Kelmendi i është drejtuar Gutajt me fjalët “A të kam thënë ty mos me ardhë kah shpija ime…”, ndërsa i dëmtuari ka reaguar: “Ky livadh nuk është i yti, unë mund ta kullos bagëtinë këtu”. Sipas aktakuzës, pas këtyre fjalëve mes tyre vazhdoi një debat me fyerje dhe sharje të ndërsjella.