Drafti i BE-së: Kosova pa përparim, Mali i Zi pranë fundit të negociatave
Kosova nuk ka shënuar përparim në të ashtuquajturat fusha themelore, sipas draftit të komunikatës vjetore të Komisionit Evropian për politikën e zgjerimit. Në të njëjtin dokument, Mali i Zi paraqitet si vendi që mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2026.
Drafti, të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë javën e ardhshme, e rendit Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën mes vendeve që nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore të vlerësimit.
Paketa e zgjerimit përmban vlerësimet e Komisionit Evropian për përparimin e vendeve kandidate dhe vendeve kandidate potenciale drejt anëtarësimit në BE. Në bazë të këtyre vlerësimeve, shtetet anëtare vendosin për hapat e mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, përfshirë hapjen dhe mbylljen e kapitujve.
Dokumenti ende është në fazën e draftit dhe publikimi i komunikatës vjetore pritet javën e ardhshme. Vlerësimi për Kosovën vjen në një dokument që e vendos atë përballë një perspektive të avancuar të Malit të Zi në procesin e negociatave për anëtarësim.