Foto: Laura Fazliu e mbyll me medalje Grand Slamin e Abu Dhabit

Laura Fazliu e mbyll me medalje Grand Slamin e Abu Dhabit

Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi, duke e mbyllur me sukses garën pas humbjes në gjysmëfinale.

Në luftën për medalje, xhudistja kosovare u përball me kroaten Iva Oberan, bartëse e parë e garës. Pas një dueli të barabartë, Fazliu arriti ta fitojë përballjen në kohën shtesë.

Fitorja u vendos pasi Fazliu realizoi një hedhje të bukur dhe e përfundoi duelin me ippon, duke siguruar vendin në podiumin e kësaj gare prestigjioze.

Më herët, Fazliu ishte mposhtur në gjysmëfinale nga polakja Angelika Szymanska dhe nuk kishte arritur të kualifikohej në finale. Megjithatë, ajo pati një tjetër mundësi për medalje në përballjen ndaj Oberanit.

Rrugëtimin në Abu Dhabi, Fazliu e nisi me fitoren ndaj portugezes Joana Crisostomo në xhiron e dytë, ndërsa në çerekfinale mposhti me ippon garuesen vendase Tsendbazar Mashbat. Me medaljen e bronztë, ajo siguroi edhe 500 pikë të reja në renditjen botërore të xhudos.