Foto: Mbi 4 mijë produkte të padeklaruara zbulohen në një kamion në Vërmicë

Mbi 4 mijë produkte të padeklaruara zbulohen në një kamion në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara me vlerë rreth 72 mijë e 600 euro gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi një zyrtar doganor ka dyshuar për mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe peshës faktike të ngarkesës.

Kontrolli i detajuar i automjetit ka nxjerrë 1 mijë e 36 palë këpucë dhe 2 mijë e 980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin përfshirë në deklaratën doganore. Në total, bëhet fjalë për më shumë se 4 mijë produkte.

Sipas Doganës, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura. Vlera e përgjithshme e mallrave, pa përfshirë detyrimet e importit, është rreth 72 mijë e 600 euro.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.