Nisin pagesat e subvencioneve për fermerët, mbi 10.2 milionë euro të ekzekutuara
Pagesat direkte për fermerët përfitues kanë nisur të ekzekutohen, pasi rreth 33 mijë fermerë aplikuan për subvencione në kuadër të programit të subvencionimit.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka vazhduar procesin e pagesave për sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
Sipas njoftimit të ministrisë, deri tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej mbi 10.2 milionë eurosh. Shuma është ndarë në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, ndërsa pagesat u dedikohen fermerëve që përfitojnë nga programi i subvencionimit.