Aktakuzë në Prizren: mbi 400 mijë euro kamata dhe prona rreth 1 milion euro

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K. për veprat penale të fajdesë dhe detyrimit, në një rast ku, sipas aktakuzës, përfshihen mbi 400 mijë euro kamata dhe prona me vlerë rreth 1 milion euro.

Sipas aktakuzës, E.K. dyshohet se, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i ka dhënë atij shuma të ndryshme parash dhe ka kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale.

Prokuroria ka bërë të ditur se, si rezultat i kësaj skeme të dyshuar fajdeje, E.K. ka marrë mbi 400 mijë euro vetëm në emër të kamatave nga B.Ç. Në aktakuzë përfshihet edhe pretendimi për prona me vlerë rreth 1 milion euro.

E.K. akuzohet për fajde sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për detyrim. Bashkë me të, A.K. akuzohet për fajde të kryer në bashkëkryerje.