Ndërpritet mbledhja për rastin Arlinda Zekajt pas përplasjes në komision
Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt është ndërprerë pas përplasjes mes anëtarëve rreth institucioneve që duhet të përfshihen në procesin e hetimit.
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, e ndërpreu mbledhjen pasi Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi që Zyra e Kryeministrit të përfshihej në listën e institucioneve prej të cilave do të kërkoheshin dokumente dhe dëshmi.
Sipas Ramadanit, ai kishte dhënë një pauzë pesëminutëshe me shpresën se përfaqësuesit e VV-së do ta ndryshonin qëndrimin. Megjithatë, kundërshtimi ndaj përfshirjes së Zyrës së Kryeministrit në këtë proces vazhdoi.
Mospajtimet mes anëtarëve lidhen edhe me mënyrën e zhvillimit të hetimit. Ramadani e ka kritikuar qasjen e Vetëvendosjes, duke thënë se kjo parti ka ardhur në komision me qëndrime të prera dhe të paracaktuara.