Aksion në Prizren: gjatë arratisjes i dyshuari godet 17-vjeçaren dhe një hetues

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë një operacioni kundër fajdesë të zhvilluar sot në Prizren tre persona u arrestuan. Gjatë tentimit për arrestim, një i dyshuar tentoi të arratisej me veturë dhe goditi një këmbësore 17-vjeçare dhe një hetues policor.

Sipas vlerësimit të mjekëve, këmbësorja 17-vjeçare pësoi lëndime, por është jashtë rrezikut për jetë.

Hetuesi, i angazhuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Pas veprimeve operative, policia arrestoi tre persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”.