Aktakuza për krime lufte në Prekaz ndaj 35 personave, çfarë tha Kryeprokurori
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, e ka cilësuar si hap të rëndësishëm drejt drejtësisë aktakuzën ndaj 35 personave për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve në Prekaz.
Gashi ka vlerësuar angazhimin e Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera në trajtimin e këtij rasti. Sipas njoftimit, institucionet përkatëse kanë qenë të përfshira në të gjitha fazat e procedurës penale, nga zhvillimi i hetimeve deri te ngritja e aktakuzës.
Kryeprokurori e ka përshkruar rastin si një nga më të ndjeshmit dhe më të rëndët e luftës së fundit në Kosovë. Ai ka thënë se vënia para përgjegjësisë e urdhërdhënësve dhe autorëve të këtyre krimeve mbetet mision i Prokurorit të Shtetit, me qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.