Aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte në Prekaz
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për zhvillimin e gjykimit në mungesë ndaj 35 personave, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Prekaz të Poshtëm.
Aktakuza lidhet me operacionin e forcave serbe të zhvilluar në mars të vitit 1998 kundër lagjes Jashari. Gjatë këtij operacioni u vranë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari, përfshirë komandantin Adem Jashari.
Si të pandehur në këtë çështje janë identifikuar personat me inicialet J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B. Sipas aktakuzës, ata akuzohen se, në cilësinë e udhëheqësve të njësive speciale të Policisë së Serbisë, kishin planifikuar, koordinuar dhe drejtuar operacionin e armatosur kundër familjes Jashari dhe banorëve të lagjes në Prekaz.