Apeli konfirmon dënimin për fajde: 4 vjet burg për Beqir Hoxhën

Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin prej 4 vjetësh burgim dhe gjobën prej 5 mijë euro për Beqir Hoxhën, i shpallur fajtor për veprën penale “fajde”. Viktima dyshohet se pagoi mbi 78 mijë euro kamata.

Sipas vendimit të Apelit, pjesa kryesore e aktgjykimit dënues është konfirmuar, ndërsa janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe ajo e mbrojtësit të Hoxhës.

Aktgjykimi u ndryshua vetëm në pjesën që lidhet me kompensimin e dëmit: Apeli ka udhëzuar që i dëmtuari F.S. të realizojë kërkesën pasurore-juridike përmes kontestit civil të rregullt.

Hoxha ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore më 4 qershor 2025 për veprën penale “fajde”, sipas nenit 331 të Kodit Penal. Në dënimin e tij është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 22 gusht deri më 10 nëntor 2023.

Vendimi i Apelit e lë të pandryshuar pjesën që ka pasoja penale, ndërsa çështjet e kompensimit i përcakton të ndjeken përmes rrugës civile.