Arrestimi i Vlora Hysenit ndez përplasjen në komisionin parlamentar
Arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, u kthye në pikën kryesore të përplasjes politike gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Shqipëri.
Komisioni ishte mbledhur për të shqyrtuar në parim projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, deputetët e Partisë Demokratike fillimisht u ndalën te masa e arrestit në shtëpi ndaj Hysenit.
Deputetët demokratë thanë se rasti dhe këto masa tregojnë se “shteti ka rënë”. Deputeti Saimir Korreshi e artikuloi qëndrimin me fjalët: “Ka rënë shteti sot, o bosa. E dini apo jo?”.
Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, kërkoi që arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH-it të ishte në qendër të diskutimeve. Kreu i komisionit, Ulsi Manja, u kërkoi deputetëve të opozitës t’i përmbaheshin rendit të ditës, ndërsa veprimet dhe hetimet e SPAK-ut i cilësoi normale për institucionet e një shteti demokratik.