Foto: Arrestohet në Zveçan i dyshuari I.M. për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë

Arrestohet në Zveçan i dyshuari I.M. për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale njoftojnë se në Zveçan u arrestua të dielën personi me inicialet I.M., i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë trazirave të majit 2023.

Autoritetet thanë se arrestimi u realizua pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

I.M. dyshohet për disa vepra penale, përfshirë sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, thuhet në komunikatën e autoriteteve.

Sipas policisë, lidhja e të dyshuarit me ngjarjet në veri në maj të vitit 2023 po hetohet si pjesë e hetimeve që ndërlidhen me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve policorë.

Policia dhe Prokuroria thanë se do të vazhdojnë veprimet procedurale dhe se do të njoftojnë për hapat e mëtejshëm në procesin penal.