Banorët e Terstenikut: mbi një muaj me mbeturina, na thonë ‘vijmë sot, nesër’

Banorët e fshatit Terstenik në Komunën e Drenasit thonë se jetojnë me mbeturina të grumbulluara pranë kontejnerëve prej mbi një muaji dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Një banor i dërgoi redaksisë pamje nga vendi dhe tha se familjet kanë marrë premtime të përsëritura: “Pesë herë kemi thirrur zyrën në Drenas, veç po na thonë vijmë sot, nesër”.

Në pamjet e dërguara shihet një sasi e madhe plehrash pranë kontejnerëve dhe rrugës pranë shtëpive. Banorët thonë se kanë kontaktuar disa herë zyrën përkatëse në Drenas, por sipas tyre nuk ka pasur largim të mbeturinave deri tani.

Banorët kërkojnë që të ndërmerret veprim sa më shpejt për largimin e mbeturinave dhe për rikthimin e pastërtisë në zonë. Ata presin që autoritetet komunale të përgjigjen ndaj shqetësimeve dhe të zgjidhin situatën.