BE-ja i përgjigjet Daçiqit për Prizrenin dhe kërkon arrestimin e Radoiçiqit
Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se “flamuri serb do të valvitet mbi Prizren”, duke kërkuar nga liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
Një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se fjalët e politikanëve duhet të ndihmojnë në krijimin e besimit dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në një mjedis besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Brukseli ka kërkuar gjithashtu arrestimin e Milan Radoiçiqit, duke e lidhur këtë çështje me hapat që Serbia duhet t’i ndërmarrë në kuadër të përgjegjësisë dhe normalizimit të marrëdhënieve.