BE kërkon konsultime para hapjes së urës mbi Ibër, nënvizon nevojën për siguri
Sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, Komisioni Evropian pret koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota para hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, një hap që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë në Mitrovicë.
Hipper tha në një konferencë për media më 18 gusht se qëndrimi i Bashkimit Evropian për urën është i qartë: ura është e hapur për këmbësorë, por jo ende për qarkullimin e automjeteve.
Ajo gjithashtu kërkoi që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt.
Komisioni theksoi se vendimi për hapjen e plotë duhet të merret vetëm pasi të realizohen konsultimet ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës dhe të ketë koordinim operativ të qartë për menaxhimin e sigurisë.