Bidonë të hapur pranë shtegut në QKUK ngrenë shqetësime për sigurinë

Dhjetëra bidonë plastikë janë hedhur në ambient të hapur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pranë një hapësire të gjelbëruar dhe një shtegu të kalimit të këmbësorëve. Pamjet nga vendi ngrenë shqetësime për sigurinë e personave që mund të afrohen ose të bien në kontakt me ta.

Bidonët përdoren për ruajtjen e solucioneve kimike gjatë procesit të hemodializës. Në mesin e tyre shihen edhe enë me kapakë të hequr, të hedhura në tokë në një hapësirë të frekuentuar nga këmbësorët.

Nga pamjet nuk mund të përcaktohet nëse bidonët janë plotësisht të zbrazët, nëse përmbajnë mbetje të lëngshme apo nëse janë pastruar para se të hidhen. Nëse kanë mbetje të solucionit kimik, ato mund të paraqesin rrezik për personat që i prekin ose bien në kontakt me përmbajtjen e tyre.

Hedhja e bidonëve në ambient të hapur ngre gjithashtu pikëpyetje për mënyrën e menaxhimit të mbetjeve spitalore në hapësirat e QKUK-së.