Foto: Dogana ndalon 23,918 artikuj në tri lokale të Prishtinës

Dogana ndalon 23,918 artikuj në tri lokale të Prishtinës

Dogana e Kosovës ka ndaluar gjatë kontrolleve në tri lokale në Prishtinë gjithsej 23,918 artikuj; mallrat janë vendosur nën mbikëqyrje doganore dhe për një prej subjekteve është njoftuar Prokuroria Themelore.

Sipas rezultateve të evidentuara, në lokalin e parë janë ndaluar 22,391 artikuj, në lokalin e dytë 477 artikuj dhe në lokalin e tretë 1,050 artikuj.

Në njoftim të Doganës thuhet se ndër mallrat e ndaluara përfshihen 16,394 mbrojtëse për telefona mobilë, kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max, kabllo USB-C dhe Lightning, adapterë dhe pajisje për mbushje, orë inteligjente, pajisje AirTag, lapsa elektronikë, tastiera, bateri për telefona mobilë dhe aksesorë të tjerë; mes tyre janë evidentuar edhe shenja të markave të njohura tregtare.

Dy nga subjektet e kontrolluara janë dërguar për trajtim të mëtejshëm te Sektori për Kundërvajtje Doganore, ndërsa për subjektin e tretë, për shkak të sasisë dhe vlerës së mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Hetimet dhe procedurat e verifikimit të dokumentacionit, të prejardhjes dhe të respektimit të të drejtave të pronësisë intelektuale do të vazhdojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë.