Gjermania planifikon përgjysmimin e kuotës për punëtorët nga Kosova nga 2027

Gjermania planifikon ta përgjysmojë kuotën vjetore për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, një ndryshim që mund t’ua kufizojë mundësitë qytetarëve të Kosovës që synojnë të punojnë në këtë shtet.

Sipas planit, nga janari i vitit 2027 numri i personave që mund të përfitojnë nga “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor” do të ulet nga 50 mijë në 25 mijë në vit. Kuota vlen për të gjitha vendet e përfshira në këtë rregullore, mes tyre edhe Kosova.

Rregullorja u mundëson qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të punësohen në Gjermani përmes procedurave të lehtësuara. Për pasojë, qytetarët e Kosovës që planifikojnë të aplikojnë për punë në Gjermani mund të kenë më pak mundësi në kuadër të këtij mekanizmi duke filluar nga viti 2027.