Hamza: PDK-ja tërhiqet nga Kuvendi, çështja dërgohet në Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, ndërsa çështja për zhvillimet e fundit do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Këtë e bëri të ditur kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pas mosvotimit të Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit.
Hamza deklaroi se PDK-ja, prej sot, nuk sheh arsye për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se partia do ta referojë dhe do ta dërgojë lëndën në Kushtetuese.
Gjatë deklaratës për media, Hamza akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me veprime të papërgjegjshme dhe jo në interes të qytetarëve. Sipas tij, këto veprime po prodhojnë drama dhe kriza.
Hamza tha gjithashtu se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka ndërmend t’i japë vendit institucione. Vendimi i PDK-së vjen në një situatë përplasjeje mes subjekteve politike lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.