Foto: Helikopteri rus hyn në hapësirën ajrore të Polonisë për 42 sekonda

Helikopteri rus hyn në hapësirën ajrore të Polonisë për 42 sekonda

Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 ka hyrë për pak çaste në hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar aktivizimin e avionëve luftarakë polakë. Hyrja ndodhi pasi helikopteri kaloi nga enklava ruse e Kaliningradit.

Sipas autoriteteve polake, helikopteri qëndroi 42 sekonda brenda hapësirës ajrore të vendit dhe depërtoi deri në rreth 300 metra në territorin ajror polak. Të dhënat u njoftuan të mërkurën nga Komanda Operative e ushtrisë polake.

Pas incidentit, Polonia aktivizoi aeroplanët luftarakë, ndërsa forcat dhe mjetet e mbrojtjes ajrore në tokë u vendosën në gatishmëri. Komanda Operative e Ushtrisë Polake deklaroi se vlerësimi i saj fillestar e lidh natyrën e incidentit me testimin e gatishmërisë së mbrojtjes ajrore polake.

Ngjarja ndodh në një periudhë kur vendet e krahut lindor të NATO-s kanë rritur vigjilencën ndaj incidenteve në hapësirën e tyre ajrore, në kontekstin e luftës së Rusisë në Ukrainë.