Foto: I kërkuar nga Spanja për trafik droge, arrestohet në Rinas 43-vjeçari nga Gjakova

I kërkuar nga Spanja për trafik droge, arrestohet në Rinas 43-vjeçari nga Gjakova

Bujar Buja, 43 vjeç, i lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, është arrestuar në Aeroportin e Rinasit teksa po hynte në Shqipëri.

Sipas dosjes hetimore të autoriteteve spanjolle, ndaj tij Gjykata Qendrore e Instruksionit nr. 1 pranë Audiencës Nacionale të Madridit kishte caktuar në korrik 2026 masën e sigurisë “arrest me burg”. Ai dyshohet për veprat penale “trafikim të lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.

Hetimet spanjolle lidhin rastin me një organizatë që vepronte kryesisht në zonën e Costa del Sol dhe merrej me trafikimin e kokainës. Buja kërkohej nga Spanja me qëllim ekstradimi, ndërsa arrestimi në Rinas vjen teksa ai po hynte në territorin shqiptar.