Foto: Komunat dalin në protestë më 1 shtator: “Jemi në falimentim”

Komunat dalin në protestë më 1 shtator: “Jemi në falimentim”

Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë më 1 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një përplasje të hapur me nivelin qendror për kompetencat dhe gjendjen financiare të komunave.

Kryetari i Asociacionit dhe i Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se protesta do të nisë në orën 11:00. Sipas tij, ajo do të jetë paqësore, jopartiake dhe me karakter institucional.

Asociacioni kundërshton, siç është thënë, ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale. Përfaqësuesit e komunave kërkojnë zbatimin e ligjeve dhe respektimin e kompetencave që u takojnë.

Aliu ka thënë se komunat nuk po kërkojnë privilegje, por trajtim të drejtë institucional dhe mbështetje për përgjegjësitë që ushtrojnë në nivel lokal. Në paralajmërimin për protestën është ngritur edhe shqetësimi se komunat po përballen me falimentim, ndërsa është thënë se prej dy vjetësh nuk ka pasur takim me kryeministrin Albin Kurti.